Gazetari dhe kolegu Elton Qyno nëpërmjet dokumenteve të siguruara raporton se një kompani si “Kriol.AL” e themeluar në Tetor të 2021 me vetëm një punëtor të regjistruar, Kristian Koni, ka ngritur dyshime të forta për specialistët e krimit-ekonomik në Tiranë, të cilët në 7 Prill 2025 hapën një dosje të hetimit pasuror, pas dyshimeve mbi aktivitetin e kësaj firme.
Kompania, ku punonte vetëm një element i botës së krimit, kishte deklaruar fatura shitje në vlerën prej 960 milion lekë të vjetra drejt një kompanie në Poloni, e quajtur “Redenberg” S.P”.
I dënuari për trafik droge dhe vrasje në Itali, kishte ndryshuar dy herë emrin e tij dhe për më tepër kishte zgjedhur të ndryshonte dhe strategjinë e biznesit të tij, nga tregtia e drogës në Itali në tregtinë e pajisjeve dhe makinave drejt një kompanie Polake.
Për pak vite ai kishte shitur mall shqiptar drejt Polonisë në vlerën prej 960 milion lekë të vjetra. Ndërsa kompania kishte vetëm një punëtor.
Shifra e madhe e faturave del nga sistemi i Tatimeve, ku “Kriol.AL” ka deklaruar fatura shitje në vlerën e mësipërme. Ndërsa fatura blerje ka vetëm me kompani “Shijaku”.
Nisur nga këto dyshime dhe manovrat e kryera lidhur me veprimet ekonomike për blerjen e një vile në “Rolling Hills” me vlerë mbi 800 mijë euro, prokuroria vlerësoi për sekuestrimin e 21 pasurive të regjistruara në emër të Kristian Konit dhe nënës së tij, Fitnete Meta.
Nga ajo që kolegu Qyno ka raportuar dhe bazuar në informacionet tona, zbulohet se kompania e vetme shqiptare më të cilën Kristian Koni kishte mardhënie financiare nëpërmjet faturimeve dhe pagesave është Shijaku Group e vëllezërve Shijaku të cilët i përfaqëson Shpëtim Shijaku. Emri i bisnesmenit kontrovers Shpëtim Shijaku është përfshirë në disa prej dosjeve që SPAK ka nën hetim. Kujtojmë se pak muaj më parë, Shpëtim Shijakut iu anulua edhe statusi i investitorit strategjik për ndërtimin që pretendoi të bëntë në Plazhin e Gjeneralit në zonën e Kavajës. Arsyet reale janë ende të paqarta.
Redaksia e priza.al do vijojë investigimin rreth rolit të vëllezërve Shijaku e më konkretisht të Shpëtim Shijakut në rastin e trafikantit vrasës Kristian Koni, nëpërmjet të cilit dyshohet se janë pastruar miliona euro.
Operacioni i Prokurorisë
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 18 pasuri të paluajtshme, llogari bankare e automjete luksoze të një shtetasi të dënuar për trafik droge. Bëhet fjalë për shtetasin Kristian Koni (alias Olsi Meta, K. M, Z. R, K.Z.), Prokuroria sqaron se disa prej pasurive, produkt i trafikut të kokainës, ky shtetas i kishte kaluar dhe në emër të nënës së tij pensioniste.
Mësohet se Ols Meta me 5 emra ishte koka e një grupi kriminal në Itali, i cili trafikonte kokainë, hashash dhe marijuanë nga Spanja, Holanda dhe Shqipëria drejt Italisë. Sipas dosjes, Kristian Koni allias Ols Meta kishte lidhje me organizatën mafioze napolitane Kamorra.
Në vitin 2010, Guardia di Finanza e Barit, me kërkesë të prokurorit Anti-Mafia të Barit, arrestoi katër shqiptarë në Bari dhe dy të tjerë në Napoli, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës, si pjesë e bandës së Ols Metës.
Në krye të kësaj organizate kriminale, sipas autoriteteve italiane, qëndronte pikërisht bosi shqiptar Olsi Meta, me 5 emra, i cili u arratis. Nuk dihet nëse Koni/Meta ka bërë ndonjë ditë burg, por në Tiranë kishte lidhje me oligarkë.
Bashkëpunëtori i tij i ngushtë në Shqipëri ishte Fran Çoku, i cili i ngarkonte mallin nga Shqipëria, i destinuar për në portet e Barit dhe Brindizit. Hetimet treguan kontakte të forta të tyre me trafikantët e drogës të Kamorrës napolitane: Gaetano Marino, një anëtar i shkëputur dhe Secondigliano Santolo Carotenuto, në afërsi zonës rreth Vezuvit.
Pas goditjes, Ols Meta vijoi aktivitetin kriminal të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave në Shqipëri. Ols Meta ka blerë pasuri me vlerë miliona euro nga qendra e Tiranës e deri në Palasë.
-Vijon-
