Dhunuan dhe kanosën denoncuesin e blerjes së votave, 60 ditë burg 4 personave!

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg katër personat që kërcënuan një shtetas që doli publikisht duke treguar se si kishte paguar për votat. Katër personat e arrestuar për kërcënim mësohet se janë lënë në arrest me burg me afat. Afati i përcaktuar nga gjykata është 60 ditor ndërkohë mësohet se djemtë e familjes Paplekaj do të apelojnë këtë vendim gjykate! Personi që u kërcënua, quhet Ylli Kacoli i cili doli me zë dhe figurë në një televizion duke treguar se si ishin blerë votat për partinë në pushtet. Pas asaj daljeje ai u kërcënua nga katër djemtë e familjes Paplekaj!

Arrestimi

Pas arrestimit nga Policia e Lezhës të katër personave në lidhje familjare me njëri-tjetrin për dhunën dhe kërcënimin e 38-vjeçarit, detaje të reja u bënë publike në lidhje me atë që i ndodhi Ylli Kacolit, i cili publikoi një video për shitblerje votash. Sipas të dhënave, 4 agresorët i kanë kërkuar 38-vjeçarit që të përgënjeshtronte dëshminë e dhënë nga Gëzim Paplekaj, me pretendimin se ai ka qenë nën efektin e alkoolit dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm për atë çfarë ka thënë, ku deklaronte se i janë dhënë 20 mijë lekë të reja për të votuar Partinë Socialiste.

Por, kjo nuk është pranuar nga personi që ka publikuar videon dhe në këtë kushte 4 pjesëtarët e fisit Paplekaj e kanë kanosur me jetë, dhunuar e dëmtuar automjetin shtetasit Ylli Kacoli. Nga ana tjetër në dëshminë e dhënë në Polici, 45-vjeçari Gëzim Paplekaj, mësohet të ketë mohuar se ka marrë para për vota dhe se deklarimet i ka bërë nën efektin e alkoolit, duke mos qenë i vetëdijshëm. Por referuar dëshmisë së tij me zë dhe figurë për shitblerja votash, video e cila u bë virale, është regjistruar procedim penal dhe çështja i ka kaluar për hetim SPAK. Ndërkohë, për dhunimin dhe kanosjen e 38-vjeçarit Ylli Kacoli, Policia vuri në pranga 4 persona, shtetasit Gëzim, Mirash, Donald dhe Jetmir Paplekaj.

Ngjarja

Ylli Kacoli nga Lezha u shfaq më zë dhe figurë, ku deklaronte se i ishin dhënë 20 mijë lekë të reja për 4 vota në favor të Partisë Socialiste. Gjithashtu, ai deklaronte se janë shpërndarë para për Partinë Socialiste nga makinat e Policisë, ndërsa videoja, e cila u publikua në media u bë virale në rrjetet sociale. Pas publikimit të kësaj videoje Gëzim Paplekaj, bashkë me tre të afërm të tij, më datë 29.04.2021 ora 12:00, në Torovicë të Lezhës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar, kanosur për jetën për të bërë deklarim të rremë, si dhe i kanë dëmtuar automjetin me targa “AA 218 JM”, shtetasit Ylli Kacoli, 38 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, me arsim 8 klasë, për shkak të shpërndarjes në rrjete sociale të një videoje.

Menjëherë pas ngjarjes,Policia prangosi 4 agresorët, shtetasit Gëzim, Mirash, Donald dhe Jetmir Paplekaj, ndërsa materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë në Lezhë. Tashmë do të jenë prokuroria dhe gjykata që do të vendosin në lidhje me fatin e katër të arrestuarve, ndërkohë që çështja e Kacolit është dërguar për kompetencë në SPAK pasi do të verifikohet elementi penal i “krimit zgjedhor”

Shikime: 6
Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *