Noterët e dyshuar për pastrim parash, ligji: Ja kush do t`i hetojë!

Noterët, një prej hallkave më të diskutueshme të sistemit të drejtësisë në vend pajisen me një ligj të ri. Më saktë Ministria e Drejtësisë ka paraqitur një draft me 14 ndryshime të ligjit ekzistues në të cilin paraqiten dhe parashtrohen akte që rregullojnë këtë sektor. Referuar projektligjit të bërë publik në faqet e dikasterit të Drejtësisë ditën e djeshme vërehen nene të veçanta që synojnë të ushtrojnë kontroll më të mirë të personave që janë mbajtës të licencës së noterit. Po ashtu përcaktohen nënnene që vendosin masat për heqjen e licencës në rastin kur konstatohen mospërmbushje kushtesh. Kjo ndërhyrje vjen pas rekomandimeve që kanë bërë Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar FATP dhe institucioni i Monevval të cilët kanë në fokus rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Të dy këto akte kriminale janë të dyshuara si të përfshira në aktivitetin që ushtron kjo hallkë e sistemit. Duke iu referuar dyshimeve që kanë sjell dy institucionet e lartpërmendura në institucionet ligjzbatuese të vendit tonë, kujtojmë se vetëm “Priza.al” në një sërë investigimesh mbi abuzimet e një fondi në vendin tonë, janë hasur gjurmë abuzimesh nga tri notere, të cilat janë objekt investigimesh prej shumë vitesh. Por duke u kthyer pas në kohë, në momentin kur sistemi i drejtësisë u përfshi në procesin e shumëpërfolur të Vetting-ut, ky sektor pati një datë kur duhej të përfundonte afatin e dorëzimit të të gjithë dosjeve për në procesin e verifikimit. Në fakt nuk u arrit dot e për pasojë pati jo pak debate publike mbi mosrealizimin e këtij procesi!

 Ndërhyrja në ligj

Referuar relacionit që është paraqitur për draftin që përmban shtesën prej 14 nenesh për këtë ligj vërehet se Shqipëria që prej shkurtit të një viti më parë është përfshirë në listën e vendeve “nën monitorim të shtuar”, e emërtuar si “lista gri” nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF), organ ndërqeveritar që përcakton në nivel ndërkombëtar standardet dhe që nxit zbatimin efektiv të masave ligjore, rregullative dhe operacionale për luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, etj. Duke u bazuar në këto kërkesa saktësohet se objektivi kryesor i këtij projektakti është që të garantohet integriteti dhe besueshmërisë e kandidatit për noter ose zëvendësnoter.

Sipas ligjit kjo arrihet duke kontrolluar dhe duke marrë masa përkatëse në rast se ata përfshihen në kryerjen e veprimeve ose mosveprimeve që përbëjnë një nga veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 3, të ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009; “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (të ndryshuar), si dhe mungesa e kontakteve të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar”!  Interesant është neni që ka për objekt marrjen e masave përkatëse për pezullimin dhe heqjen e licencës si sanksione proporcionale, frenuese dhe efektive për adresimin e rasteve të përfshirjes së noterit dhe zëvendësnoterit në veprimtari të jashtëligjshme, por duke garantuar të gjitha të drejtat e këtyre subjekteve në kuadër të procesit të rregullt ligjor”!

 

Noterë të denoncuar  

Prej disa javësh janë një sërë emrash të noterëve që denoncohen nga qytetarë të ndryshëm në lidhje me abuzime tek Priza.al. Konkretisht bëhet fjalë për noteret e njohura për shkak të një mori shkeljesh që përkojnë pikërisht me aktet e këtij ligji. Majlinda Demollari, Natasha Xhaçka dhe Edlira Malaj janë denoncuar për disa vite me radhë si shkelëse të një sërë rregullash që kanë të bëjnë me rregullimin e detyrave të përcaktuara për noterët. Duke falsifikuar akte noteriale të panumërta këto noterë kanë mundur të fusin në borxhe jo pak shtetas shqiptar të cilëve iu sekuestroheshin pasuritë ,ë vulat e tyre. Shpesh madje rezulton të kenë përdorur edhe punonjësit e zyrës për të kryer veprime të cilat nuk lejoheshin të kryheshin prej tyre, pasi e ndalonte ligji, ndërkohë që asnjëherë nuk i janë nënshtruar asnjë hetimi nga ana e instancave përgjegjëse. Duke iu referuar materialeve të publikuara në këtë media vërehet një fakt tronditës që të tria këto notere ishin të besuarat e fondit “Besa” me të cilat ky fond rrënonte qytetarë shqiptarë.

Mekanizmi me të cilin funksiononin noterët dhe fondi ishte thuajse një mekanizëm grabitqar, pasi duke pasur në dorë dokumente personale të individëve të ndryshëm, hartonin e krijonin dosje reale. Dokumentet, sipas të dhënave siguroheshin nga rrejti i sekserëve, një rrjet që ende askush nuk di të thotë se si dhe kush janë pasi ato dokumente edhe mund të vidheshin, ose edhe të përvetësoheshin me anë të piraterisë së sistemeve mbartëse. Dhe kështu të gjitha bashkë përpilonin shkresa konkrete me emra personash që nuk kishin dijeni për gjëmën që iu sajohej. Duke patur parasysh që askush nuk ka hetuar asnjë prej rasteve që janë bërë publik, noterët kanë vijuar aktivitetin të qeta. Kjo vjen në fakt edhe për shkak të asaj çfarë përfaqësojnë jo vetëm në sistemin e drejtësisë emrat e tyre por deri lart në qeveri.

Nga “Priza.al”

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shikime: 5
Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *