Hasmëria me Domart Konjarin, si u sulmuan avokati dhe kunati i tij!

Me 10 shtator të para katër viteve, policia mori sinjal se një person ishte qëlluar me armë nga një makinë në lëvizje. Objektivi ishte një avokat e për pasojë policia u vu në kërkim të autorëve. Por afër vendit të ngjarjes u sinjalizua se në një banesë gjendeshin armët që kishin qëlluar mbi avokatin. Policia në bazë të të dhënave që kishte marrë në rrugë operative ndërhyn në banesën e sinjalizuar dhe gjen jo vetëm armë po edhe drogë. Në pranga vihet i zoti i shtëpisë, që policia e konsideroi autor të atij sulmi me armë. Edmond Saraçi u arrestua 5 ditë më vonë dhe jo vetëm refuzoi të ishte autor sulmi por ai mohoi që edhe arma, lënda narkotike dhe lënda eksplozive të ishin të tijat. Por policia nuk i shkoi më gjatë hulumtimit por e çoi nën disa akuza të rënda Saraçin e për pasojë u pretendua se ngjarja e sulmit me armë ndaj Pualin Paplekës u zbardh.

Duke parë historikun e gjithë mekanizmit të ngjarjes u mësua se Papleka ishte avokati mbrojtës i kunatit të Domart Konjarit, emrit proverbial të botës së krimit, emër që në fakt policia ka ngritur thuajse një mit pas tij. Papleka mbronte Artjan Bylykun për një çështje që lidhej me një anije. Atentati ndaj Paplekës daton 2017-n, ndërkohë që dy vite më vonë i bëhet atentat edhe vetë Bylykut. Policia gjurmoi disa të dyshuar por pa shkuar tek emrat real të këtij sulmi. Referuar të dhënave të asaj  kohe u bë me dije se sulmi ndaj Bylykut u bë për shkak se ishte kunat me Konjarin, por në fakt situata me arrestimet e sotme ndryshon. Sokol Gjura bashkë me dy miqtë e tij, Enver dhe Edmond Jamakun jo vetëm e sulmuan avokatin por ata hynë në banesën e Saraçit dhe lanë aty gjithë armatimin që kishin përgatitur për të vrarë avokatin. Më pas ata u larguan dhe sinjalizuan policinë për armët dhe drogën që gjendej aty, lajmërim që solli në pranga Saraçin.

Me 18 tetor të 2019-s policia bëri me dije se është tentuar të eliminohet biznesmeni i njohur Artjan Bylyku. Ai përveç faktit që është biznesmen njihet edhe si kunati i Konjarit. Nga të dhënat e pakta që polica bëri me dije aso kohe, u tha se atentatori, pra personi që ndezi minën e telekomanduar në makinën e Bylykut kishte qëndruar në vendin e ngjarjes. Por kur e ka parë që Bylyku ka shpëtuar ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshimet ranë mbi persona të armatosur që rrinin në periferi të Tiranës po asnjëherë nuk u shkua deri tek ata. Sipas të dhënave të pas atij sulmi policia ngriti dyshime se sulmi ishte mesazh për Konjarin. Bylyku, pas sulmit në afërsi të vendit të njohur si “ish-Frigoriferi” u sulmua sërish në Vlorë në vendin e quajtur Triport. Mjeti i tij, një skaf, i përfshi nga flakët sapo u ndez. Zyrtarisht policia bëri me dije se mjeti kishte pësuar një defekt por më pas u hodhën dyshime mbi një sulm të organizuar për ta vrarë me anë të ndonjë mine të telekomanduar.

“Priza.al”

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shikime: 4
Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *