INVESTIGIM 26/ Skandali me ‘Fondin Besa’. Si oficerja e kredisë hapi profil në ‘e-Albania’ në emër të klientes    

“Fondi Besa” nuk pushon së çudituri shqiptarët me thagmat që u përgatit sidomos atyre që guxojnë të bëhen për një arsye ose një tjetër klientë tëë këtij institucioni mikrofinanciar.

Në disa investigime, pak javë më parë, “Priza.al” solli një fakt tronditës të disa djemve që ishin bërë “klientë” të “Fondit Besa” duke u bartur me kredi në këtë institucion, jo vetëm pa e ditur por edhe të mashtruar prej sekserëve.

Por dëshmia që sollën ekskluzivisht për “Priza.al” djemtë, fliste edhe për një aspekt se si persona të caktuar brenda “Fondit Besa” kishin akses të lirshëm si në degët e disa bankave private siç ishte edhe BKT-ja, por edhe në portalin “e-Albania” të qeverisë shqiptare, prej nga ku arrinin të siguronin çdo lloj dokumenti personal në emër të personave që nuk ishin në dijeni.

Kështu punonjësit e “Fondit Besa”, pasi kishin në dorë të dhënat e kartës së identitetit të klientit të tyre, menjëherë nga “e-Albania” futeshin dhe nxirrnin prej andej certifikata dhe dokumente të çdo lloj tipi, sikur ti kishte sjellë vetë klienti, por pa dijeninë e këtij të fundit.

Kjo gjë tashmë rikonfirmohet edhe nga dëshmia më e fundit dhe ekskluzive e magjistratit të ri Edmond Kasmi, i cili ka marrë guximin prej qytetari që të denoncojë “Fondin Besa” mbi një mashtrim të pashembullt që zyrtarët e këtij institucioni bëjnë me klientët.

Dhe pikërisht gjatë dëshmisë së tij, juristi dhe magjistrati Kasmi, solli edhe faktin (njësoj si shumë viktima të tjera që e kanë ngritur më parë këtë shqetësim), se në portalin “e-Albania” oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, ishte futur dhe kishte hapur profilin e bashkëjetueses së tij duke nxjerrë prej aty të dhëna personale dhe marrë madje edhe certifikatë.

“Fondi Besa” vjedh edhe “e-Albania-n”

Portali publik i shërbimeve “e-Albania” është një risi e qeverisë “Rama” dhe i reklamuar si një portal i cili do të ofronte lehtësira dhe komoditet për të marrë dokumente elektronike në një kohë rekord. Por po ashtu ky portal ka edhe përgjegjësinë për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve nga keqpërdorimi apo grabitja e identitetit.

Megjithatë, duket se “Fondi Besa” jo vetëm që nuk do t’ja dijë për ligje, pasi prej vitesh vepron në shkelje të hapur me disa ligje, por ky institucion që ka mikluar edhe Bankën e Shqipërisë, duket se nuk pyet as për qeverinë më.

E themi këtë pasi, është pikërisht “Fondi Besa” i cili me anë të hakerimeve apo personave që kanë profile të rreme, arrin të futet edhe deri brenda portalit qeveritar, dhe të nxjerrë prej aty të gjitha dokumentet që i duhen për t’u shitur klientëve të tij të paqenën si të qenë.

Këtë veprim ka bërë edhe oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, e cila është futur në portalin shtetëror “e-Albania.al” duke aplikuar si të ishte vetë klientja e saj Fatjona Male, dhe te llogaria e saj ka marrë dokumente personale pa dijeninë dhe miratimin e klientes, madje duke i ndryshuar dhe kodet llogarisë së saj në profilin shtetëror të “e-Albania”-s.

(Oficerja e kredisë së ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka)

Këtë gjë e ka dëshmuar për “Priza.al” vet bashkëjetuesi i Fatjonës, juristi Edmond Kasmi, i cili bashkë me partneren e tij pasi janë interesuar pranë portalit por dhe në burime të tjera private, kanë mësuar se oficerja e kredisë Flutura Çuka kishte arritur që të nxirrte certifikatë personale në emër të klientes Fatjona Male, me qëllim ngatërrimin e kësaj të fundit dhe vënies përballë faktit të kryer se ajo nuk kishte shlyer kredinë e marrë pranë “Fondit Besa”.

Nga sa ka mësuar “Priza.al”, edhe nëpërmjet burimeve konfidenciale brenda “Fondit Besa”: “kjo procedurë në këtë institucion ndiqet për të gjithë klientët kur ata ose fillojnë të kenë probleme me kredinë, ose kur si garanci është ndonjë pronë me vlerë, që ja vlen të përvetësohet. Por po ashtu, kjo procedurë zbatohet edhe kur oficerët e kredive apo shefat e tyre bllokohen për arsye të ndryshme me bilancin e portofolit të kredive dhe duhet që patjetër ndonjë klienti të vendosin t’i ‘bëjnë gropën’ ose duke i marrë pronën ose duke i faturuar të tjera detyrime për të paguar”.

Si reagoi çifti i juristëve përball këtij abuzimi

Sapo është vënë në dijeni të këtij fakti se oficerja e kredisë Çuka, në emër të “Fondit Besa” është futur në “e-Albania” dhe ka marrë fshehurazi nga profili i Fatjona Males dokumente personale, të dy bashkëjetuesit me profesion juristë, Edmondi dhe Fatjona, vendosën menjëherë të vënë në dijeni autoritetet dhe të ndjekin rrugën ligjore për këtë abuzim me qëllim përvetësimi.

Sipas vetë Edmondit, ai pikërisht për të mbyllur përfundimisht marrëdhënien me “Fondin Besa” në lidhje me kredinë, u detyrua që të shesë edhe zyrën e tij në rrugën “Mine Peza”, por as kjo nuk e ngopi babëzinë e Fondit.

Nëpërmjet noteres Natasha Xhaçka ai kreu të gjitha procedurat normale të shitjes së objektit që ishte pronë e tija, si dhe ofroi pagesën e përfituar për të mbyllur diferencën e kësaj kredie të paguar deri atëherë nga këstet e bashkëjetueses së tij, Fatjona.

Por duket se nga plot 50 mijë euro që kaluan nga noterja Xhaçka me dokumente në llogari të “Fondi Besa”, ky i fundit dhe oficerja e kredisë Flutura Çuka, deklaruan vetëm 36.500 euro të marra nën dorëzim, ndërsa pjesën tjetër e zhdukën dhe sërish me anë të letrave false por të kopsitura mirë, i kërkuan sërish klientes Male që të vijojë me pagesën që sipas tyre është edhe të paktën 28 mijë euro të tjera.

Por ajo që do të ishte më e rëndë dhe më tronditëse në gjithë këtë histori, është fakti i veprës penale të konsumuar nga oficerja e kredisë Flutura Çuka, pra “krimi kompiuterik” dhe vepra tjetër “vjedhja e të dhënave personale”, të cilat punonjësja e “Fondit Besa” i kishte konsumuar që nga viti 2018 deri në vitin 2020, pra për plot dy vite, në emër të Fatjona Males.

Për këtë çifti i juristëve ngriti një padi penale dhe civile ndaj punonjës së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, e cila me anë të vjedhjes së këtyre dokumenteve në “e-Albania” ajo tjetërsoi një pronë private dhe vodhi paratë e një shitjeje në bashkëpunim me noteren Natasha Xhaçka.

No description available.

No description available.

(Dokumenti që tregon se si prokurori Ylli Bashaj u ka kthyer përgjigje viktimave për përfundimin e hetimeve)

Por duket se emri i noteres së njohur dhe i “Fondit Besa” në lojë, i cili paguan jo pak kur bëhet fjala për prokurorët, bënë që prokurori Ylli Bashaj, i cili duhej të merrej me këtë çështje, ta pezullonte atë madje të ngrinte edhe kundërakuzë ndaj denoncuesve që ishte çifti i juristëve Male-Kasmi.

Neser “Priza.al” do të sjellë edhe implikimin e prokurorit Ylli Bashaj, në këtë çështje duke u munduar që me gjithë provat e paraqitura nga çifti i juristëve për krimin kompjuterik, u mundua që ta shuante këtë çështje dhe të bënte shantazh kundër atyre që ishin viktima të “Fondit Besa”.

Vijon…./Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

Shikime: 2312
Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *