Skandali me ‘Spitalin Amerikan’, 1 vit pandemi, 1 vit abuzime

“Spitali Amerikan” është kthyer tashmë në një monopol të sektorit privat spitalor në vend, pasi me blerjen edhe të spitalit grek “Hygea”, si dhe me ikjen e spitalit italian “Salus”, kjo kompani ka mbetur pa konkurrentë në treg.

I vetmi “konkurrent” nëse mund të quhet i tillë, është Spitali Shtetëror ose QSUT-ja, pasi edhe në disa klinika me aksionerë të huaj, pronarët e “Spitalit Amerikan” kanë blerë aksione.

Në këtë mënyrë, “Spitali Amerikan” ka dominuar tregun vendas të shëndetësisë private dhe ka marrë nga shteti shqiptar kundrejt pagesave si në dorë ashtu dhe nën dorë, tendera dhe shërbime të domosdoshme.

Përveç atij të hemodializës, ku disa kohë më parë ky spital u përfshi edhe në një skandal, aktualisht ky spital ka marrë edhe shumë shërbime që kanë lidhje me pandeminë e koronavirusit.

Shumica e tyre duhet të ishin falas ose të mbuloheshin nga shteti shqiptar, por shërbimet në “Spitalin Amerikan” po u kushtojnë qytetarëve sa qimet e kokës.

Por skandali më i fundit i regjistruar nga “Spitali Amerikan” është kontrabanda dhe mashtrimi me testet serologjike të koronavirusit, të cilat shumë individë kundrejt pagesë i marrin si negative për të kaluar kufirin jashtë vendit.

Skandali me testet  

Vetëm vitin e kaluar, kur ishte edhe kulmi i pandemisë së koronavirusit, Prokuroria e Tiranës konfirmoi për mediat se do të nisë hetimet për subjektin privat “Spitali Amerikan”, për mashtrim dhe kondrabandë me testet e koronavirusit.

Në atë kohë edhe televizioni “Vizion Plus” raportoi duke cituar drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, se policia kishte kallëzuar për mashtrim dhe kondrabandë pikërisht “Spitalin Amerikan”. Në raportimin e “Vizion Plus” thuhej se hetimi do të nisë pas caktimit të prokurorit.

Në kushtet e pandemisë, testi i koronavirusit kryhej fillimisht vetëm nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i cili ishte dhe përgjegjës për menaxhimin e situatës.

Përveç kësaj, Laboratori i Virologjisë në ISHP është i vetmi i certifikuar në Shqipëri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Testi për Covid-19 kryhet përmes analizimit të sekrecioneve të hundës ose gojës, sekrecione të cilat merren me tamponë, ndërsa sipas mediave në “Spitalin Amerikan”, testet janë kryer përmes analizave të gjakut.

Deri në muajin prill 2020, ISHP kishte kryer 1823 analiza për Covid-19 në Shqipëri, duke diagnostikuar 259 persona të infektuar.

Ndërkohë në një intervistë për emisionin “Opinion” në “Tv Klan”, drejtori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, pati konfirmuar se, spitali i tij jo vetëm që mundej të kryente teste për koronavirus, por kishte kapacitete për kryerjen e plot 4000 analizave në ditë.

Allajbeu pati deklaruar edhe se, deri më 30 mars 2020, Spitali Amerikan ishte në pritje të reagentëve për të filluar testimet.

Albana Daka, mjeke në “Spitalin Amerikan”, shtoi më vonë, se në mënyrë private analizat kushtonin 150 deri në 350 euro. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Barnave u shpreh më pas se nuk ka certifikuar asnjë spital privat për diagnostikim të koronavirusit.

Kështu “Spitali Amerikan” në fakt kishte kohë që bënte kundrejt pagesave të kushtueshme këto analiza për koronavirusin, edhe pse ato ishin të pakonfirmuara dhe të paautorizuara nga ISHP dhe OBSH.

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

Shikime: 7
Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *